KQZ: Fushata për balotazhin nga 3 deri më 9 nëntor, votimi jashtë vendit nis më 27 tetor

Fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të zgjasë vetëm gjashtë ditë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që subjektet politike dhe kandidatët të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre nga 3 deri më 9 nëntor, me përfundim në orën 06:59 të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve.
Ndërkohë, votuesit jashtë Kosovës do të mund të votojnë me postë nga 27 tetori deri më 8 nëntor, ndërsa dërgimi i fletëvotimeve do të bëhet midis 26 tetorit dhe 29 nëntorit.
KQZ ka bërë të ditur edhe afatet për akreditimin e vëzhguesve, si dhe për konfirmimin e atyre ekzistues — partitë nga 28 tetori deri më 3 nëntor, ndërsa mediat, OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare nga 31 tetori deri në të njëjtën datë.
Në të njëjtën mbledhje, KQZ miratoi rezultatet pas rinumërimit të 16 kutive votimi në 12 vendvotime dhe njoftoi se 18-vjeçarët e rinj do të përfshihen në listat votuese, përderisa qytetarët që kanë hequr dorë nga shtetësia do të largohen automatikisht.