Kosova zbulon kundërshtarët e mundshëm në Botërorin 2026

Përfaqësuesja e Kosovës ka mësuar se me kë do të përballet në fazën e grupeve të Kampionatit Botëror “FIFA World Cup 2026”, nëse arrin të sigurojë kualifikimin përmes play-off-it që zhvillohet në mars.
Sipas skemës së publikuar nga FIFA, Kosova do të pozicionohej në Grupin D, ku do të ndeshej me ShBA-në, Paraguajin dhe Australinë – një grup i fortë, me tre kombëtare që kanë traditë dhe përvojë të gjatë në turnetë botërorë.
Orari i mundshëm i ndeshjeve të Kosovës:
- 13 qershor 2026: Kosovë vs Australi – Vankuver, Kanada
- 19 qershor 2026: Kosovë vs Paraguaj – Kaliforni, ShBA
- 25 qershor 2026: Kosovë vs ShBA – Kaliforni, ShBA
Ky do të ishte debutimi historik i Kosovës në një Botëror, një arritje e madhe për futbollin kosovar, megjithatë rruga drejt kualifikimit mbetet sfiduese.
Play-off-i vendimtar
Kosova do të ndeshet fillimisht me Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it në mars.
Nëse triumfon, “Dardanët” do të luajnë në finalen e play-off-it kundër fituesit të sfidës Turqi – Rumani. Vetëm fituesi i finales do të sigurojë biletën për në Kupan e Botës 2026.