Kosova shkëlqen në arenën ndërkombëtare me 28 medalje

Sporti kosovar po vazhdon të ngjitet në majat e suksesit. Fundjava e kaluar ishte historike për sportistët tanë, të cilët siguruan gjithsej 28 medalje në dy gara të rëndësishme ndërkombëtare.
Në Kampionatin Ballkanik të Xhudos, që u zhvillua në Pejë për herë të tretë, xhudistët kosovarë u shpallën ndër më të mirët, duke fituar 13 medalje: 6 të arta, 6 të argjendta dhe 1 të bronztë.
Ndërkohë, në Kampionatin Mesdhetar të Karatesë, që u mbajt në Spanjë, karateistët tanë treguan nivel të lartë konkurrues, duke u rikthyer me 15 medalje: 7 të arta, 4 të argjendta dhe 4 të bronzta.
Këto rezultate e ngritën numrin total të medaljeve në 28, duke dëshmuar forcën dhe përgatitjen e sportistëve tanë në skenën ndërkombëtare.
Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, e cilësoi këtë arritje si dëshmi të progresit të pandalshëm të Kosovës në sportet luftarake dhe një motivim shtesë për të rinjtë që ndjekin rrugën e sportit.