Kosova para provës më të madhe – sfida me Slloveninë që mund t’i hapë dyert e historisë

Kosova para provës më të madhe – sfida me Slloveninë që mund t’i hapë dyert e historisë

Përfaqësuesja e Kosovës ka mbërritur te ndeshja ku vendoset gjithçka. Sot në mbrëmje, në stadiumin “Stožice” të Lubjanës, dardanët përballen me Slloveninë në një duel që vendos fatin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja nis në ora 20:45 dhe konsiderohet momenti më i rëndësishëm i kësaj dekade për futbollin kosovar.

Plejofi në dorë, Botërori ende i arritshëm

Me një barazim Kosova e siguron zyrtarisht plejofin. Me një fitore, dera e Botërorit hapet më shumë se kurrë. Skenari bëhet akoma më i nxehtë nëse Zvicra dështon sonte ndaj Suedisë. Nëse Kosova fiton dhe Zvicra humb, atëherë sfida e së martës në Prishtinë vendos gjithçka: kualifikimin direkt në Botëror.

Por për momentin, e gjithë vëmendja është te 90 minutat e Lubjanës.

Muriqi: “Jemi gati t’i ndëshkojmë”

Vedat Muriqi, lideri i sulmit dhe lojtari më i besuar i Kombëtares, tha se skuadra e ka një plan të qartë për të kapur rezultatin.

“Me mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta besojmë se do ta ndëshkojmë Slloveninë. Synimi është Botërori”, tha ai.

Ai u shpreh i gatshëm emocionalisht dhe fizikisht:
“Jam sulmues dhe e di që gjithë shqiptaria pret gol prej meje. Por mbi gjithçka është fitorja. Nëse shënoj golin e fitores, nuk ka me qenë askush më i lumtur se unë.”

Foda besnik planit – kthehen liderët e mbrojtjes

Selektori Franco Foda konfirmoi se Kosova do të zbresë në fushë me sistemin që solli sukses në tri ndeshjet e fundit: 5-3-2 në fazë mbrojtëse, që shndërrohet në 3-5-2 me topin në këmbë.

Lajmet pozitive janë të mëdha:

  • Amir Rrahmani – rikthehet si lider i mbrojtjes
  • Lumbardh Dellova – gati pas lëndimit
  • Baton Zabërgja – rikthim i rëndësishëm në mesfushë

I vetmi mungesë është portieri Aro Muriqi, i pezulluar. Në vend të tij starton Amir Saipi.

Foda e ka analizuar Slloveninë në detaje:
“Në ndeshjen e parë të dy skuadrat ishin shumë të kujdesshme. Këtë herë vendosin detajet. Ekipi që jep më shumë do të fitojë.”

Sllovenia pa yllin e madh

Për vendasit mungon Benjamin Šeško, sulmuesi kryesor i ekipit. Por Foda paralajmëron se Sllovenia nuk është vetëm një individ dhe se struktura e tyre ekipore mbetet e fortë.

Kosova në momentin më të mirë të saj

Dardanët janë në formën më stabile që nga krijimi i Kombëtares. Lojtarët kyç janë rikthyer, atmosfera është solide dhe besimi është më i larti i viteve të fundit. Një fitore sonte nuk do të ishte as befasi dhe as mrekulli – do të ishte një shpërblim për punën e bërë.

Sonte në Lubjanë nis rrugëtimi drejt ëndrrës së madhe. Historia është shumë afër.