Kosova merr për herë të parë me të drejtë vote në Asamblenë e Komitetit Paralimpik Botëror

Kosova merr për herë të parë me të drejtë vote në Asamblenë e Komitetit Paralimpik Botëror

Kosova shënon një kapitull historik në sportin paralimpik ndërkombëtar. Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), Njomza Emini, e cila është gjithashtu anëtare e Bordit të Komitetit Paralimpik Evropian, po përfaqëson vendin tonë në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC) që po mbahet në Seul, Kore e Jugut.

Për herë të parë, Kosova merr pjesë në këtë Asamble me të drejtë vote, një arritje që konsolidon praninë e vendit tonë në strukturat më të larta të lëvizjes paralimpike globale.

“Pjesëmarrja e plotë e Kosovës jo vetëm që forcon pozitën tonë brenda komunitetit paralimpik ndërkombëtar, por gjithashtu i jep zë të drejtpërdrejtë vendimmarrjes që ndikon në të ardhmen e sportit paralimpik në nivel botëror. Kjo është një arritje e përbashkët e të gjithë parasportistëve, komunitetit dhe partnerëve të Komitetit tonë,” deklaroi presidentja Emini.

Një nga momentet kryesore të Asamblesë është edhe votimi për President të ri të IPC-së, ku Kosova për herë të parë ushtron të drejtën e saj të votës.

Në vitet e fundit, Komiteti Paralimpik i Kosovës ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në përfaqësimin ndërkombëtar, duke u bërë anëtar i të gjitha instancave kryesore të parasportit. Së fundi, zgjedhja e presidentes Emini si anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Paralimpik Evropian ka siguruar një vend për Kosovën në tavolinën më të rëndësishme të parasportit në kontinent.