Kosova befason botën – e para në Evropë për siguri, e treta globalisht

Kosova është renditur në vendin e tretë në botë dhe e para në Evropë për siguri, sipas raportit “Siguria Globale 2025” të organizatës prestigjioze amerikane Gallup. Vendi ka arritur 94 pikë nga gjithsej 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke shënuar një ngritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte vlerësuar me 91 pikë.
Në krye të listës globale qëndrojnë Taxhikistani me 97 pikë dhe Singapori me 95, ndërsa menjëherë pas tyre renditet Kosova, duke lënë prapa vende të zhvilluara evropiane si Norvegjia, Austria dhe Zvicra, si dhe disa shtete të Gjirit, përfshirë Bahreinin, Omanin dhe Arabinë Saudite.
Raporti i Gallup mat perceptimin e qytetarëve për sigurinë në komunitet, besimin ndaj institucioneve të rendit dhe përvojat me krime të ndryshme si vjedhjet apo sulmet. Një nga treguesit kryesorë është ndjenja e sigurisë gjatë ecjes vetëm natën. Kosova renditet në dhjetëshen e parë globale për këtë indikator, duke u pozicionuar si një nga vendet ku qytetarët ndihen më të mbrojtur dhe të lirë në jetën e përditshme.
Në nivel botëror, sipas Gallup, 73% e të rriturve thonë se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën – përqindja më e lartë që nga viti 2006. Ky rezultat lidhet jo vetëm me uljen e rasteve të dhunës, por edhe me nivelin e besimit të qytetarëve tek institucionet publike dhe zbatimi i ligjit.
Raporti mbulon 144 vende dhe territore, përfshirë përgjigjet e mbi 1000 të rriturve në secilin vend. Anketimet zhvillohen si me telefon, ashtu edhe ballë për ballë, në varësi të kushteve lokale, ndërsa niveli i gabimit statistikor llogaritet mesatarisht nga ±3 deri në ±5 pikë përqindje. Kjo e bën Indeksin e Ligjit dhe Rendit një nga matjet më gjithëpërfshirëse dhe të besueshme të perceptimit të sigurisë në botë.
Renditja e lartë e Kosovës shihet si tregues i përmirësimit të stabilitetit dhe forcimit të institucioneve, në një periudhë kur shumë vende përballen me konflikte të armatosura dhe rritje të pasigurisë.
