KO:SH Film Fest 2025: Një Udhëtim Kinematografik në Korçë

Nga sot deri më 13 shtator 2025, qyteti i Korçës do të presë edicionin e radhës të Festivalit të Filmit të Shkurtër KO:SH Film Fest, një ngjarje që sjell bashkë artin dhe kulturën globale.
Me temën “Zhvendosja”, festivali i këtij viti eksploron sfidat njerëzore të shkaktuara nga konflikte, mungesa e demokracisë, varfëria ekonomike apo korrupsioni, duke prekur jetët e miliona njerëzve në mbarë botën.
KO:SH Film Fest është një pikëtakim kyç për kinematografinë në rajon. Përgjatë pesë ditëve, do të shfaqen 81 filma të shkurtër nga 40 vende, duke e transformuar Korçën në një epiqendër të krijimtarisë ndërkombëtare. Aktivitetet do të zhvillohen në ambiente si Kinema Majestic, Galeria e Arteve Digjitale Korçë, Biblioteka e Korçës dhe Qendra Rinore Korçë.
Këtë vit, Bullgaria është vendi në fokus, me një përzgjedhje filmash nga “In The Palace Short Film Festival”, që përfshin 6 filma të shkurtër bullgarë të shfaqur sonte. Programi për fëmijë ofron shfaqje filmash, punëtori dhe masterklasa, duke angazhuar të rinjtë në aktivitete krijuese.
Përveç shfaqjeve, festivali do të përfshijë diskutime mbi çështje të rëndësishme shoqërore, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse për të gjithë të pranishmit.
Bashkia Korçë i fton të gjithë të bashkohen në këtë festë të artit dhe kulturës, për të përjetuar ditë të mbushura me frymëzim dhe dialog, raporton atsh.