Kamenica nis Legjislaturën e Tetë: Kuvendi Komunal zyrtarisht i konstituar

Kamenica nis Legjislaturën e Tetë: Kuvendi Komunal zyrtarisht i konstituar

Kuvendi i Komunës së Kamenicës ka mbajtur sot mbledhjen inauguruese, duke u konstituuar si institucioni më i lartë i qeverisjes lokale, i dalë nga Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025. Me këtë seancë ka nisur zyrtarisht puna e Legjislaturës së Tetë.

Mbledhja u udhëhoq nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Sejdi Kurteshi, i cili mbajti fjalën e hapjes, verifikoi mandatet e anëtarëve të rinj dhe drejtoi procesin e betimit.

Gjatë ceremonisë, të gjithë asambleistët dhanë betimin solemn, duke u zotuar se do të kryejnë detyrat me nder, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin, “në mënyrë që të sigurohen kushte për jetë të qetë për të gjithë”.

Pas tyre, betimin e dha edhe Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili deklaroi se detyrat dhe kompetencat do t’i ushtrojë “me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme dhe në pajtim me ligjin”.

Në fjalën e tij, Rahimaj theksoi se me fillimin e kësaj legjislature nis edhe një fazë e re bashkëpunimi institucional, e bazuar në besimin që qytetarët u dhanë institucioneve lokale më 12 tetor.

“Rëndësia e angazhimit tonë është po aq e madhe sa vet institucioni. Detyra jonë është të forcojmë besimin e qytetarëve në institucionet tona. Kuvendi Komunal është vendi ku diskutohet për çdo çështje me interes publik, dhe pluralizmi politik është thelbësor për këtë proces”, u shpreh ai.

Rahimaj rikujtoi se Kuvendi tashmë ka një përbërje të re me 21 asamblistë nga 6 subjekte politike – një diversitet që ai e konsideroi “garanci për një demokraci funksionale”.

Ceremonia me praninë e institucioneve dhe komunitetit

Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve lokale, shoqërisë civile dhe komunitetit, përfshirë:
Komandantin e Policisë së Kamenicës Basri Shkodra, Komandantin e Zjarrfikësve Riza Bunjaku, Kryetarin e BIK-ut Ferit Dërmaku, Kryetarin e OVL-UÇK-së Milaim Limoni, Drejtorin e QKMF-së Latif Sylaj, ish-deputeten Arta Bajralia, si dhe përfaqësues të sektorit kulturor dhe publik.

Prania e tyre i dha mbledhjes një karakter solemn dhe reflektim të bashkëpunimit ndërinstitucional në prag të mandatit të ri katërvjeçar.

PËRBËRJA E KUVENDIT – LEGJISLATURA E TETË

Kuvendi përbëhet nga 21 anëtarë të zgjedhur, nga gjashtë subjekte politike:

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – 9 mandate

  1. Ardita Dërmaku
  2. Arbnore Beqiraj Fera
  3. Liridon Kastrati
  4. Lirim Kryeziu
  5. Jeton Zylfiu
  6. Blerim Murina
  7. Arlinda Basha
  8. Berat Dërmaku
  9. Burbuqe Leka

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) – 4 mandate

  1. Labinot Haxhiu
  2. Naim Arifi
  3. Magbule Kastrati
  4. Djellonë Rudhani Ahmeti

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 3 mandate

  1. Faton Jakupi
  2. Labinot Skoverqani
  3. Albulena Gagica

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 3 mandate

  1. Jeton Biqkaj
  2. Sejdi Kurteshi
  3. Shpresa Sermaxhaj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 1 mandat

  1. Granit Berisha

Lista Serbe (LS) – 1 mandat

  1. Ivan Markovic

Konstituimi i Kuvendit shënon fillimin e ushtrimit të përgjegjësive të reja të qeverisjes lokale në Kamenicë, duke hapur rrugën për një mandat të ri pune dhe bashkëpunimi në shërbim të qytetarëve.