Kalabria nis programin e parë të RAI-t në gjuhën arbëreshe

Kalabria bëhet rajoni i parë me statut të zakonshëm që nis një program të RAI-t kushtuar pakicave gjuhësore në Itali. Ky program do të përfshijë emisione radiotelevizive tërësisht në gjuhën arbëreshe, duke i dhënë kështu një hapësirë të re promovimit të kulturës dhe gjuhës arbëreshe.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Presidencës së Këshillit të Ministrave – Departamentit për Informacion dhe Botime – dhe RAI-t, ka nisur prodhimi i programeve televizive dhe radiofonike të dedikuara për këtë qëllim.
Ky program lidhet drejtpërdrejt me Ligjin 482 të vitit 1999 dhe Kontratën e Shërbimit Kombëtar, që parashikon mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore në rajonet e Italisë.
“Programimi do të fillojë në mesin e shtatorit dhe do të zgjasë 13 muaj. Ne jemi rajoni i parë që prodhon programim në një gjuhë minoritare dhe kjo më bën veçanërisht krenar si kalabrez. Do të jetë një angazhim i vazhdueshëm për Kalabrinë, por edhe për RAI-n, i cili edhe një herë po kryen rolin e tij si televizion publik”, u shpreh Massimo Fedele, drejtor i RAI Calabria.
Edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri Lani, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për popullin arbëresh, shoqërinë italiane dhe komunitetin shqiptar:
“Ky program nuk është vetëm komunikim, por edhe mbrojtje dhe vlerësim i një trashëgimie unike gjuhësore e identitare, të ruajtur për shekuj në rreth 50 komuna. Ai forcon ndjenjën e përkatësisë, transmeton kujtimin e paraardhësve tek brezat e rinj dhe bashkon shqiptarët dhe italo-shqiptarët me universin arbëresh.”
Programi televiziv do të nisë më 21 shtator, çdo të diel, ndërsa radioja do të sjellë përditë emisione mbi kulturën arbëreshe nga e hëna deri të premten, me përsëritje në fundjavë.