Jahjaga takohet me Obamën

Jahjaga takohet me Obamën

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me ish-presidentin amerikan Barack Obama gjatë Samitit Global të mbajtur në Erie, Pensilvani.

Përmes një postimi në Facebook, Jahjaga ka bërë të ditur se në këtë takim e ka falënderuar Obamën për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Kosovës, veçanërisht gjatë kohës së mandatit të saj si presidente. Ajo ka theksuar se i ka kërkuar atij angazhim të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat, sipas saj, janë sfiduar me pezullimin e dialogut strategjik së fundmi.

“Pata nderin të takoj Presidentin Barack Obama, të cilin e falënderova për përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj vendit tonë. Kërkova nga Presidenti Obama angazhimin e tij në forcimin e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe përkrahjen për konsolidimin e shtetësisë sonë në arenën ndërkombëtare,” ka shkruar Jahjaga.

Ajo shtoi se Kosova nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan.

“Falë këtij partneriteti, ne sot gëzojmë lirinë, pavarësinë, njohjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në shumë organizata botërore. Për këtë mbetemi përjetësisht mirënjohës,” përfundoi Jahjaga.