Ish-ushtari britanik i UÇK-së, Jon Harrison, bëhet shtetas i Republikës së Kosovës

Jon Harrison, ish-ushtar britanik që iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve ’90, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë publik vetë Harrison përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe dekretin e nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani, duke konfirmuar përfundimisht marrjen e shtetësisë.
“Zonja dhe zotërinj, jam shpallur shtetas i Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai, duke e shoqëruar njoftimin me një foto të dekretit presidencial.
Harrison është një ndër emrat më të njohur të vullnetarëve të huaj që iu bashkuan UÇK-së gjatë luftës, dhe shpesh ka folur publikisht për përvojat e tij, për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për lidhjen e tij me vendin edhe pas përfundimit të konfliktit.
Marrja e shtetësisë vjen si një njohje institucionale për kontributin e tij dhe për lidhjen e vazhdueshme me Kosovën. Ai pritet të vazhdojë të jetë aktiv në përfaqësimin e historisë dhe të vlerave për të cilat është angazhuar gjatë luftës.