IP u bën thirrje partive politike për mbrojtjen e të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka apeluar ndaj partive politike në Kosovë që të respektojnë detyrimet ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në njoftimin e saj, AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave personale duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore, siç janë: pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsyet tjera të përcaktuara me ligj.
Agjencia ka nxjerrë disa udhëzime konkrete për partitë politike:
- Të mos përdorin të dhënat kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura përmes funksioneve publike apo formave tjera, për qëllime të marketingut politik;
- Të mos shpërndajnë të dhëna personale përmes email-it, SMS-ve apo thirrjeve telefonike pa pëlqim paraprak të qytetarëve;
- Të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave për marketing të drejtpërdrejt, duke ndërprerë komunikimin menjëherë pas një kundërshtimi të tillë;
- Të shmangin profilizimin dhe përpunimin masiv të të dhënave të ndjeshme pa bazë ligjore dhe masa mbrojtëse të përshtatshme;
- Të sigurojnë transparencë për mënyrën e përpunimit të të dhënave përmes politikave të qarta dhe të qasshme të privatësisë.
Sipas AIP, respektimi i të drejtës për privatësi është thelbësor gjatë procesit zgjedhor. Institucioni gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me partitë politike, me qëllim që të garantohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve gjatë gjithë fushatës.