“House of Kosova” rikthehet në Davos: Kosova mes 25 shteteve me përfaqësim të dedikuar në WEF 2026

Kosova do të prezantohet për herë të dytë radhazi në Forumin Ekonomik Botëror “Davos 2026” përmes iniciativës “House of Kosova”, me sloganin “Shtëpia e Kosovës, shtëpi e talentit”. Ky prezantim e radhit Kosovën në mesin e vetëm 25 shteteve në botë që kanë hapësirë të dedikuar përfaqësimi gjatë këtij forumi global.
Në Davos, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të zhvillojë takime me liderë politikë ndërkombëtarë, investitorë të huaj dhe të diasporës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit global. Sipas agjendës zyrtare, Kurti do të marrë pjesë edhe në panelin ndërkombëtar ku do të diskutohet roli i demokracisë, sigurisë dhe qeverisjes në një rend të ri global.
“House of Kosova” do të jetë e hapur nga 19 deri më 23 janar 2026, çdo ditë nga ora 10:00, në Davos Platz, duke shërbyer si pikë takimi dhe rrjetëzimi për liderë, sipërmarrës, investitorë dhe përfaqësues të diasporës kosovare.
Programi i sivjetmë përfshin panele të nivelit të lartë, prezantime të potencialit të Kosovës për investime të huaja, aktivitete kulturore dhe ngjarje rrjetëzimi që adresojnë temat më aktuale globale, përfshirë demokracinë, sigurinë, inteligjencën artificiale, tranzicionin energjetik dhe ndërtimtarinë e qëndrueshme.
Agjenda zyrtare e “House of Kosova 2026”
Të martën, më 20 janar, nga ora 16:00 deri në 17:00, do të mbahet paneli “Democracy, Security, and Governance in a New Era”, me pjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti.
Të mërkurën, më 21 janar, nga ora 15:00 deri në 16:00, do të mbahet paneli “Europe’s Execution Engine: Winning the AI Race Through Specialization”, i pasuar nga paneli “Powering Growth Responsibly: Energy Security and Transition Pathways”, nga ora 16:30 deri në 17:30. Në mbrëmje, nga ora 20:00, do të mbahet koncert nga grupi alternativ rock “Asgjë Sikur Dielli”, ndërsa nga ora 21:00 deri në mesnatë organizohet eventi “Kosova Night – Where Heritage Meets the Future”, një mbrëmje kulturore që ndërthur dialogun, traditën dhe kuzhinën shqiptare.
Të enjten, më 22 janar, nga ora 16:00 deri në 17:00, do të zhvillohet paneli “Construction meets AI: Affordable, Climate-Ready Housing at Scale”. Po atë mbrëmje, nga ora 19:00, do të performojë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ndërsa nga ora 19:30 deri në 22:30 do të mbahet eventi “Diaspora goes Davos”, i fokusuar në lidhjen e sipërmarrësve dhe liderëve kosovarë nga e gjithë bota.
Pjesëmarrja e Kosovës me “House of Kosova” në Davos vlerësohet si një platformë strategjike për promovimin e vendit si destinacion për investime, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Në një forum ku vetëm një numër i kufizuar shtetesh kanë hapësira të dedikuara prezantimi, prania e Kosovës dëshmon rritjen e rolit të saj në skenën globale dhe përkushtimin për të qenë pjesë aktive e diskutimeve mbi demokracinë, sigurinë, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.