Hollywood-i në alarm: Videot me AI sfidojnë industrinë, “Na ka mbaruar”

Hollywood-i në alarm: Videot me AI sfidojnë industrinë, “Na ka mbaruar”

Hollywood-i po përballet me një sfidë të paparë. Bashkë-skenaristi i “Deadpool” dhe “Wolverine”, Rhett Reese, reagoi me alarm pas një videoje 15-sekondëshe të krijuar nga inteligjenca artificiale ku Tom Cruise dhe Brad Pitt shkëmbejnë grushte mbi një urë të shkatërruar. “Më vjen keq ta them. Na ka mbaruar,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Klipi u krijua nga regjisori irlandez Ruairí Robinson, duke përdorur generatorin e ri të videove me AI Seedance 2.0, i lançuar nga ByteDance, pronarët e TikTok. Robinson tha se videon e realizoi me një “prompt 2-rreshtash”, duke treguar fuqinë e jashtëzakonshme të këtyre mjeteve për të prodhuar përmbajtje filmike të padallueshme nga realiteti.

Debati ka shkaktuar reagime të forta nga industria: Motion Picture Association (MPA) akuzon ByteDance për përdorim të paautorizuar të veprave të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Kryetari Charles Rivkin paralajmëroi se shkelja e këtyre të drejtave mund të dëmtojë miliona vende pune në SHBA. Aktivistë si Beeban Kidron kërkojnë marrëveshje ligjore mes kompanive të AI dhe industrisë kreative për të shmangur dekada padish dhe shkatërrim të sektorit.

Sistemet e AI trajnohen mbi të dhëna të pafundme nga interneti, përfshirë filma, libra dhe art, duke ngjallur pyetje mbi licencimin dhe kompensimin e krijuesve. Skena e Hollywood-it duket se po përgatitet për një dekadë sfidash ligjore dhe teknologjike, ndërsa mjetet si Seedance 2.0 po ndryshojnë mënyrën se si krijohet dhe perceptohet filmi.