Hapet aplikimi për Programin e Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike

Hapet aplikimi për Programin e Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike

Nga sot, shumë familje në vend kanë një arsye më shumë për t’u futur në platformën eKosova – ka nisur aplikimi për Programin e Mbrojtjes së Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2025–2026.

Ky program është menduar për ata që e ndjejnë më shumë faturën e rrymës gjatë dimrit. Nëse të ardhurat në familje janë të ulëta, shtëpia nuk është më e shtrenjtë se 100 mijë euro, dhe jeni shtetas të Kosovës – atëherë mund të përfitoni subvencione për ta përballuar më lehtë sezonin e ftohtë.

Aplikimi bëhet shumë thjeshtë, online në eKosova, tek seksioni “Shërbimet – Grante dhe Subvencione” (linku: ekosova.rks-gov.net/562).
E lajmi i mirë për ata që kanë aplikuar vitin e kaluar? Nuk ka nevojë të plotësoni gjithçka nga e para – të dhënat janë ruajtur, mjafton vetëm t’i përditësoni nëse ka ndryshime në familje, adresë ose njehësor.

Autoritetet këshillojnë që aplikimi të bëhet gjatë muajit tetor, sepse pagesat retroaktive nuk do të realizohen. Programi do të jetë i hapur për gjashtë muaj, por sa më herët të aplikoni, aq më mirë.