Gjilani pa fishekzjarrë për festat: Komuna merr vendim për ndalim, përjashtim vetëm në natën e Vitit të Ri

Gjilani pa fishekzjarrë për festat: Komuna merr vendim për ndalim, përjashtim vetëm në natën e Vitit të Ri

Teksa qyteti përgatitet për festat e fundvitit, Komuna e Gjilanit ka vendosur të vendosë rregull dhe qetësi. Kryetari Alban Hyseni ka nxjerrë një urdhëresë zyrtare për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike, përkatësisht fishekzjarrëve, në hapësirat publike të qytetit.

Vendimi është marrë në bazë të nenit 13 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe nenit 78 të Statutit të Komunës së Gjilanit. Sipas urdhëresës, ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve në vende të hapura publike si tregje, rrugë dhe sheshe, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe ruajtjes së rendit publik gjatë periudhës festive.

Ndalesa do të jetë në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 deri më 3 janar 2026. Megjithatë, është paraparë një përjashtim simbolik: përdorimi i fishekzjarrëve do të lejohet vetëm në natën e Vitit të Ri, nga ora 23:30 e 31 dhjetorit deri në orën 00:30 të 1 janarit 2026.

Komuna ka paralajmëruar masa ndëshkuese për shkelësit e këtij vendimi. “Personat të cilët veprojnë në kundërshtim me këtë urdhëresë do të gjobiten në shumë prej 100 euro”, thuhet në urdhëresën e kryetarit Alban Hyseni. Për zbatimin e saj do të kujdesen Drejtoria e Inspeksionit dhe Policia, duke synuar që festat të kalojnë në qetësi dhe siguri për të gjithë qytetarët.