Gjilani në qendër të vëmendjes: Drita përballet me Llapin në Kupën e Kosovës

Mesjava sjell emocione të forta futbolli në Kupën e Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës ka publikuar orarin zyrtar të ndeshjeve të fazës së 1/8 së finales, ku skuadrat do të luftojnë për një vend në çerekfinale dhe për vazhdimësinë e ëndrrës drejt trofeut.
Dy ndeshje zhvillohen të martën, ku vëmendja shkon në Gjilan, aty ku Drita dhe Llapi përballen nga ora 13:00. Po këtë ditë luhet edhe dueli tjetër interesant mes Drenicës dhe Ferizajt, një përballje që premton rivalitet dhe intensitet.
E mërkura sjell kryendeshjen e këtij rrethi. Prishtina pret Ballkanin nga ora 18:00, në një duel që pritet të jetë spektakël për tifozët. Më herët gjatë ditës, nga ora 13:00, takohen Dukagjini dhe Prishtina e Re, në një ndeshje ku surprizat nuk përjashtohen.
Të enjten zhvillohen tri përballje: Gjilani – Liria, Vushtrria – Vëllaznimi dhe Trepça ’89 – Malisheva. Ndërkohë, sfida e vetme që është shtyrë për javën e ardhshme është ajo mes Feronikelit dhe Dinamos. Kupa e Kosovës vazhdon të premtojë emocione, rivalitet dhe surpriza në çdo raund.
