Gjermania feston ribashkimin: Si u arrit, si kremtohet dhe çfarë mendojnë sot gjermanët

Gjermania shënon një ditë të rëndësishme me festimin e ribashkimit të Lindjes dhe Perëndimit, një ngjarje e mbushur me histori dhe emocione. Kjo festë shoqërohet me flamuj gjermanë zi-kuq-verdhë që valëviten përpara Rajshtagut dhe fishekzjarre që ndriçojnë qiellin, siç u pa në festimet e vitit 1990 në Berlin.
Si u nda dhe si u bashkua Gjermania?
Pas Luftës së Dytë Botërore në 1945, Gjermania e mposhtur u nda në katër zona pushtimi nga fuqitë fitimtare: SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik. Në 1949, kjo ndarje u institucionalizua me krijimin e Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në Perëndim dhe Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) në Lindje, e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Kufijtë e RDGJ-së ishin të rreptë, dhe Murin e Berlinit, ndërtuar për të penguar largimin e qytetarëve lindorë, e bëri ndarjen fizike dhe simbolike edhe më të dukshme.
Bashkimi erdhi si rezultat i revoltës popullore në RDGJ kundër regjimit socialist, i cili kufizonte liritë dhe përndiqte kundërshtarët. Në fund të viteve 1980, presionet publike u intensifikuan, veçanërisht falë politikës së reformave të Mihail Gorbaçovit, i cili hoqi dorë nga ndërhyrjet ushtarake. Kjo çoi në demonsturat masive dhe rënien e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, një moment kulmor që hapi rrugën për ribashkimin zyrtar më 3 tetor 1990.
Pse 3 tetori, jo 9 nëntori?
Ndërsa 9 nëntori 1989 shënoi rënien e Murit, kjo datë është historikisht e ngarkuar për shkak të Natës së Pogromit të 1938-ës, kur nazistët filluan përndjekjen sistematike të hebrenjve. Për të shmangur përputhjen me këtë ngjarje të errët, u zgjodh 3 tetori 1990, dita kur RDGJ-ja u bashkua zyrtarisht me RFGJ-në, si data e festimit.
Si kremtohet dita e bashkimit?
Festimet janë relativisht të qeta krahasuar me pritshmëritë. Në vend të fishekzjarreve masive apo turmave të mëdha, qytetet organizojnë veprimtari si ditë me porta të hapura dhe evente të vogla kulturore. Çdo vit, një land i federatës pret ceremoninë qendrore, dhe sivjet kjo është Saarlandi, me aktivitete në Saarbrücken nga 2 deri më 4 tetor, duke përfshirë ngjarje kulturore, turistike dhe kulinarie. Për shumicën e gjermanëve, kjo ditë pushimi është një mundësi për relaks.
Një monument që mungon
Pavarësisht diskutimeve që zgjatën gati një dekadë, projekti për një memorial të bashkimit, “Memoriali i lirisë dhe bashkimit”, ende nuk është realizuar plotësisht. Ideja për një gjysmësferë interaktive 50 metra të gjatë përpara Forumit Humboldt në Berlin ka hasur në pengesa burokratike dhe grindje me firmat e kontraktimit. Aktualisht, vetëm bazamenti është vendosur, dhe përfundimi mbetet i paqartë.
A është Gjermania vërtet e bashkuar?
Një sondazh i fundit i Institutit Forsa tregon se unifikimi mbetet i papërfunduar. Vetëm 35 për qind e të anketuarve besojnë se Lindja dhe Perëndimi janë “zhvilluar thellësisht së bashku”. Në Lindje, vetëm 23 për qind mendojnë se gjermanët janë bërë një popull që nga 1990, krahasuar me 37 për qind në Perëndim. Në 2019, ky perceptim arriti kulmin me 51 për qind. Sipas sondazhit të Infratest dimap, 50 për qind e të pyeturve thonë se mungesa e barazisë në paga, pensione dhe pasuri pengon unifikimin e plotë.
Ky kombinim i festimit dhe reflektimit tregon se, edhe pas dekadash, bashkimi i Gjermanisë mbetet një proces në zhvillim.