GAP: Kryetarët e komunave dhanë 1815 premtime, realizuan vetëm 918

GAP: Kryetarët e komunave dhanë 1815 premtime, realizuan vetëm 918

Instituti GAP ka publikuar raportin për nivelin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore për mandatin 2021-2025 që kanë dhanë kryetarët e komunave në zgjedhjet e fundit lokale.

Në bazë të raportit të tyre, kryetarët kanë dhënë 1815 premtime zgjedhore në fushatën elektorale, ndërkaq kanë zbatuar vetëm 918 sosh.

Prej gjithsej 1,815 premtime që kanë dhënë 27 kryetarë të komunave të Kosovës, për këtë mandat janë përmbushur 918 premtime, ndërsa 234 premtime janë gjysmë të përmbushura, 281 premtime janë të filluara dhe 382 premtime nuk kanë filluar ende së zbatuari. Ashtu si në mandatin e kaluar (2017-2021), kur ishin përmbushur 51% e premtimeve, edhe në mandatin aktual, shkalla e përmbushjes mbetet e njëjtë me 51%.

Sa i përket shifrave që më së shumti janë përmbushur premtimet në fusha, 66%  janë përmbushur premtimet në shëndetësi, në sektorin e arsimit 63%, administratë (58%) dhe në fushën sociale (55%).

Sektoret që më së paku janë përmbushur premtimet në urbanizëm 34%, infrastrukturë 37% dhe në shërbime publike  me 41%.

“Nga 382 premtimet që nuk kanë filluar të përmbushen, 98% e tyre janë përgjegjësi e nivelit lokal, ndërsa vetëm 2% kërkojnë koordinim ndërinstitucional për t’u realizuar”, thuhet në komunikatë.

Në fazën krahasuese me mandatet e kaluara, mandati 2021–2025 sipas Institutit GAP shënon numrin më të madh të premtimeve të dhëna në zgjedhjet lokale. Konkretisht: në mandatin 2007–2009 janë dhënë 129 premtime, në mandatin 2009–2013 janë dhënë 530 premtime, në mandatin 2017–2021 janë dhënë 930 premtime, ndërsa në këtë mandat janë monitoruar dhe vlerësuar 1,815 premtime.

Në fushatën e fundit zgjedhore, Instituti GAP nuk ka evidentuar asnjë premtim zgjedhor në dhjetë komunat e banuara nga komuniteti serb dhe në Komunën e Mamushës, për shkak se kandidatët për kryetarë në këto komuna nuk kanë dhën premtime gjatë fushatës zgjedhore.