Fushata lokale 2025: PZAP shqipton mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatë dhe subjekte politike

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar mbi 20 mijë euro gjoba për disa kandidatë dhe subjekte politike gjatë dy javëve të para të fushatës për zgjedhjet lokale 2025. Shkeljet e konstatuara përfshijnë përdorimin e gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes, si dhe fushata në institucione publike.
Sipas të dhënave, iniciativa qytetare “Skenderaj” e Sokol Halilit është gjobitur më së shumti – 7 mijë euro për përdorim të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse. Më pas vijnë PDK, Faton Peci për Mitrovicë dhe Përparim Rama, kandidati për kryetar të Prishtinës nga LDK, secili me gjoba 2,500 euro.
Vullnet Bugaqku nga KDI thekson se kjo shifër është më e ulët krahasuar me zgjedhjet parlamentare, kur për 10 ditë u shqiptuan mbi 100 mijë euro gjoba. Ekspertët dhe organizatat monitoruese kanë vënë re edhe debate dhe fushata me gjuhë të papërshtatshme, por deri tani nuk ka situata të rrezikshme. Në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë të drejtë vote mbi 2 milionë qytetarë, përfshirë më shumë se 43 mijë jashtë vendit.