Forbes vlerëson Arbër Sejdijin si një nga inovatorët e tregtisë së ardhshme

Forbes vlerëson Arbër Sejdijin si një nga inovatorët e tregtisë së ardhshme

Arbër Sejdiji, sipërmarrës shqiptar me bazë në Zvicër, po tërheq vëmendjen e industrisë ndërkombëtare si një nga inovatorët që po ndryshojnë mënyrën e funksionimit të tregtisë.

Sipas Forbes Switzerland, ai është përfshirë në listën e figurave që po sjellin transformime të thella në sektorin e mallrave të konsumit përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Rrugëtimi i tij fillon nga përvoja në këshillimin strategjik dhe industrinë e produkteve të konsumit, ku ka vërejtur një problem të zakonshëm: shumë kompani marrin vendime për çmimet, marzhat dhe përzgjedhjen e produkteve bazuar shpesh në të dhëna të pjesshme ose intuitë, duke rrezikuar buxhete milionëshe.

Për të adresuar këtë sfidë, Sejdiji, së bashku me drejtorin teknik Gerrit Merz, ka themeluar Zenline AI, një start-up me seli në Zyrih. Platforma e tyre përdor agjentë të inteligjencës artificiale për të analizuar të dhëna të brendshme dhe të jashtme në kohë reale, duke ofruar rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për bizneset.

Me ndihmën e Zenline AI, kompanitë mund të identifikojnë boshllëqet në asortiment, të përmirësojnë performancën e produkteve individuale dhe të optimizojnë listimet e tyre, duke rritur efikasitetin operacional dhe fitueshmërinë.

Falë kësaj qasjeje inovative, Zenline AI po konsolidohet si një nga start-up-et më premtuese në fushën e inteligjencës artificiale në Zvicër, duke treguar se teknologjia po luan një rol kyç në transformimin e modeleve tradicionale të biznesit dhe tregtisë globale.