“Forbes” shpall Ursula von der Leyen gruan më të fuqishme të vitit 2025

Revista prestigjioze Forbes ka publikuar listën e saj vjetore me 100 gratë më të fuqishme të botës – dhe në krye të saj për vitin 2025 qëndron Ursula von der Leyen. Presidentja e Komisionit Evropian vazhdon të konsiderohet figura më ndikimi në politikën globale, falë rolit të saj vendimtar në drejtimin e politikave që prekin mbi 450 milionë qytetarë evropianë. Si gruaja e parë në krye të Komisionit, ajo është shndërruar në simbol të lidershipit modern dhe vendimmarrjes strategjike.
Pas saj në listë vjen Christine Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, ndërsa vendi i tretë i takon Sanae Takaichi – kryeministrja e Japonisë dhe gruaja e parë që drejton këtë vend. Lista vazhdon me emra që po udhëheqin vende dhe institucione të rëndësishme në kohë sfiduese: Giorgia Meloni në Itali, Claudia Scheinbaum në Meksikë, dhe udhëheqëse të fuqishme të industrisë si Mary Barra nga General Motors dhe Jane Fraser nga Citi.
Forbes përfshin në listë edhe figura që ndikojnë përtej politikës dhe ekonomisë – nga Taylor Swift me fuqinë e saj kulturore e deri te Oprah Winfrey, Amy Hood (Microsoft), Gwynn Shotwell (SpaceX), Kristalina Georgieva (FMN) dhe liderë të kompanive gjigante si Vodafone, JD.com, Netflix dhe Walt Disney. Edhe sipërmarrësja Kim Kardashian renditet mes grave me ndikim global.
Interesant mbetet fakti se në vendin e fundit të listës qëndrojnë heroinat e serialit të animuar “KPop Demon Hunters”, një fenomen global që arriti mbi 325 milionë shikime, duke u bërë filmi më i ndjekur ndonjëherë në Netflix. Lista e këtij viti vjen me 17 emra të rinj dhe bazohet në katër kritere themelore: paratë, mediat, ndikimin dhe shtrirjen e këtij ndikimi.