Flaka e Janarit” sot në Gjilan me “Yjet e Flakës” dhe “Këngët e Jusufit”

Flaka e Janarit” sot në Gjilan me “Yjet e Flakës” dhe “Këngët e Jusufit”

Sot, më 29 janar, në kuadër të ditëve përmbyllëse të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, në Gjilan do të mbahen dy aktivitete artistike që pasurojnë programin kulturor të këtij manifestimi gjithëkombëtar.

Nga ora 15:00, në Teatrin e Qytetit në Gjilan, do të mbahet Festivali i Këngës për Fëmijë “Yjet e Flakës”, një aktivitet që i kushtohet krijimtarisë artistike për fëmijë dhe promovimit të talenteve të reja muzikore.

Ndërkohë, nga ora 19:00, në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, organizohet aktiviteti artistik-kulturor “Këngët e Jusufit”, i cili përmes muzikës dhe interpretimit artistik përkujton figurën dhe veprën e Jusuf Gërvallës.

Manifestimi “Flaka e Janarit”, i cili zgjat deri më 31 janar, shndërron Gjilanin në një qendër të kulturës shqiptare, duke mbledhur artistë dhe artdashës nga të gjitha trevat shqiptare.

Ky manifestim mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe përkujtimore në Kosovë, duke bashkuar trashëgiminë historike me artin dhe kulturën bashkëkohore, si dhe duke ruajtur gjallë frymën e atdhedashurisë dhe kujtesës kombëtare.