Fjalori i madh i gjuhës shqipe, tashmë edhe online

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka hapur për përdoruesit platformën online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, një nga tre projektet më të rëndësishme në albanologji, bashkë me “Historinë e Shqiptarëve” dhe “Enciklopedinë Shqiptare”. Platforma është e aksesueshme në adresën fjalori.online dhe ofron qasje të lirë në përmbajtjen e saj.
Sipas Vendimit nr. 1, datë 06.01.2026, për një periudhë nëntëmujore përdoruesit mund të japin mendime, sugjerime dhe plotësime për përmirësimin e fjalorit. Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik do t’i pasqyrojnë sugjerimet brenda një afati tremujor.
Projektin e ka realizuar një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomait si kryeredaktor, me dy zëvendëskryeredaktorë, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj. Shtypi i veprës në dhjetë vëllime pritet të realizohet vitin e ardhshëm.
Platforma është e optimizuar për të gjitha pajisjet digjitale dhe synon të jetë një mjet i domosdoshëm për shkrimtarët, publicistët, shkollarët, studentët, mësuesit, pedagogët dhe studiuesit e gjuhës shqipe. Fjalori mbështet përdorimin dhe kultivimin e gjuhës amtare, si në të shkruar ashtu edhe në të folur, dhe shërben si burim për krijime, përkthime dhe hartimin e fjalorëve të ndryshëm.
Eksploroni gjuhën shqipe tani online: fjalori.online