Filmi “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)” jep premierën në Sundance dhe merr vlerësime të larta nga publiku dhe kritikët

Filmi i regjisorit kosovar Visar Morina, “Shame and Money (Shaban dhe Hatixhe)”, bëri premierën botërore në Park City, Utah, në kuadër të prestigjiozes Sundance Film Festival.
Qysh në minutat e para të shfaqjes, publiku reagoi me duartrokitje të gjata dhe të njëpasnjëshme, duke reflektuar ndikimin e fuqishëm emocional të filmit.
Kritika ndërkombëtare e ka përshkruar veprën si një dramë të thellë, që eksploron dinjitetin njerëzor nën presionin e kapitalizmit.
The Film Verdict e cilësoi filmin “një dramë observuese, e fuqishme dhe e ndjerë”, ndërsa Next Best Picture e vlerësoi si “një analizë emocionuese e shkatërrimit të shpirtit njerëzor përballë presionit ekonomik”.
Performancat e aktorëve, regjia e përmbajtur dhe realizmi social u përmendën si elementë që e bëjnë filmin një nga titujt më të diskutuar të këtij edicioni.
Në qendër të tregimit është një familje kosovare që, pas humjes së jetesës së saj në fshat, përballet me sfidën e zhvendosjes në Prishtinë dhe përpjekjen për të gjetur vendin e saj në një shoqëri hiperkapitaliste.
Filmi sjell interpretime të spikatura nga Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj dhe një kast të pasur aktorësh të tjerë.
“Shame and Money” është një bashkëprodhim ndërkombëtar, ku prodhojnë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe Visar Morina, në bashkëpunim me Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana dhe kompani të tjera partner.
Skenari është shkruar nga Visar Morina dhe Doruntina Basha, me fotografi nga Janis Mazuch dhe montazh nga Joëlle Alexis.
Filmi mbështetet nga institucione të rëndësishme kinematografike europiane dhe kombëtare, duke përfshirë Qendrën Kinematografike të Kosovës, Eurimages dhe fonde të tjera nga Gjermania, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Belgjika.