Filmi me Luana Bajramin nominohet për Oscar në kategorinë e filmave të shkurtër

Filmi me Luana Bajramin nominohet për Oscar në kategorinë e filmave të shkurtër

Filmi i shkurtër dramatik “Two People Exchanging Saliva” (titulli origjinal: “Deux personnes échangeant de la salive”), ku aktorja me prejardhje nga Kosova Luana Bajrami mban një nga rolet kryesore, është nominuar për çmimin Academy Award në kategorinë Best Live Action Short Film për edicionin e 98-të të Oscarëve.

Shpallja e nominimeve e ka futur filmin në mesin e pesë projekteve më të mira botërore në këtë kategori, duke e vendosur Bajramin për herë të parë në garën për trofeun më prestigjioz të kinematografisë botërore.

Filmi është një bashkëprodhim mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me skenar dhe regji nga Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Ai është xhiruar në bardhë e zi, me fotografi nga Alexandra de Saint Blanquat dhe muzikë origjinale nga Bobak Lotfipour, duke krijuar një estetikë të veçantë vizuale dhe emocionale.

Ngjarja zhvillohet në një Paris distopik, ku përqafimet dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje, ndërsa marrëdhëniet njerëzore zëvendësohen nga rregulla absurde dhe dhunë e stilizuar. Luana Bajrami interpreton personazhin Malaise, një grua e re që nis punë në një butik të pazakontë dhe krijon një lidhje me një klient të pasur, Angine, çka ndez rivalitet dhe xhelozi. Filmi trajton temat e shtypjes, dëshirës, kontrollit dhe lirisë individuale, përmes një komedie të errët me tone satirike.

Përveç Bajramit, në role kryesore shfaqen edhe Zar Amir Ebrahimi dhe Aurélie Boquien, ndërsa narracioni i zërit i takon aktores së njohur Vicky Krieps. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert, dy emra të mëdhenj të kinemasë botërore.

Filmi ka pasur një rrugëtim të suksesshëm në festivalet ndërkombëtare. Ai u shfaq premierë në Telluride Film Festival në SHBA dhe fitoi Grand Jury Prize në AFI Fest 2024, si dhe çmime të rëndësishme në Clermont-Ferrand International Short Film Festival dhe San Francisco International Film Festival, duke u vlerësuar gjerësisht nga kritika.

Pas shpalljes së nominimit për Oscar, në faqen zyrtare të filmit u publikua një mesazh dedikimi:
“Këtë nderim të jashtëzakonshëm ua dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata.”

Ndërkohë, Kosova për të tretin vit radhazi nuk ka paraqitur film në kategorinë Best International Feature Film, ndërsa deri më tani suksesi më i madh i vendit në Academy Awards mbetet nominimi i filmit “Shok” në vitin 2016. Në këtë kontekst, prania e Luana Bajramit në Oscars shihet si një përfaqësim i rëndësishëm indirekt i Kosovës në skenën globale të filmit.

Luana Bajrami është e njohur edhe si regjisore. Me filmat e saj, ajo ka përfaqësuar Kosovën në festivale prestigjioze si Cannes dhe Venecia, duke ndërtuar një karrierë ndërkombëtare të qëndrueshme si para dhe pas kamerës.

Ceremonia e 98-të e ndarjes së çmimeve Oscar do të mbahet më 15 mars në teatrin Dolby në Los Angeles. Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në ABC dhe Hulu, ndërsa prezantues do të jetë sërish Conan O’Brien.