Filmi “Krejt e Thirrin Rexhën” premierë në Gjilan

Më 25 dhjetor, Gjilani bëhet shtëpia e një filmi që nuk shikohet vetëm me sy, por ndjehet me krejt qenien. “Krejt e Thirrin Rexhën”, me regji të Iber Dearit, shfaqet për herë të parë për publikun gjilanas në Teatrin e Qytetit, nga ora 20:00.
Ky film na çon në një fshat ku koha ecën pak më ndryshe dhe ku shumë dyer janë mbyllur nga largimi i njerëzve.
Emigracioni është aty, i pranishëm në çdo shtëpi bosh, në çdo rrugë të heshtur. E megjithatë, mes gjithë kësaj mungese, është Rexha – mjeshtri i fundit që s’e ka braktisur vendin.
Rexha shkon prej shtëpie në shtëpi për me rregullu gjëra të vogla, por bashkë me çekiçin e veglat, ai sjell edhe biseda, kujtime, të qeshura të papritura dhe histori që zakonisht mbesin mes katër mureve.
Përmes tij, filmi hap një dritare të sinqertë drejt jetës së njerëzve që kanë mbetur, duke treguar se si jetohet mes pritjes, mungesës dhe shpresës që nuk shuhet lehtë.
“Krejt e Thirrin Rexhën” është një film që e di kur duhet me t’u afru butë dhe kur me të ba me qeshë lehtë, edhe atëherë kur tema është e rëndë. Humori i tij i hollë e bën tregimin më të afërt, më njerëzor, dhe pikërisht kjo qasje i ka sjellë vlerësime dhe çmime në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.
Historinë e mbajnë gjallë aktorë të njohur si Afrim Muçaj, Adriana Matoshi, Ledion Mulaku, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Bereda Reshiti, Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Adrian Aziri, Daniela Markaj dhe Sara Bajrami, të cilët e sjellin filmin me një energji të natyrshme dhe shumë autentike.
Premiera në Gjilan është një ftesë për me u ndalë pak, për me dëgju, për me u gjetë ndoshta në ndonjë histori të vogël që kalon në ekran. Një film që flet për ikjen, por edhe për ata që vendosin me qëndru.
Për shkak të interesimit të madh, nuk do të ketë rezervime – biletat shiten vetëm në biletarinë e Teatrit të Gjilanit.
Filmi vjen si organizim nga Mobikino dhe Ernest Zymberi.
📞 Tel: 045 222 525