Fillojnë xhirimet e filmit të ri artistik “DUA” nga Blerta Basholli

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të gjatë “DUA”, një projekt i ri i regjisores së njohur Blerta Basholli, e cila fitoi vëmendje ndërkombëtare me filmin “Zgjoi”. Xhirimet do të zgjasin deri më 19 nëntor, duke përfshirë gjithsej 35 ditë pune në terren.
Filmi prodhohet nga Valon Bajgora dhe Yll Uka nga Ikonë Studio në Kosovë, ndërsa bashkëproducentë janë Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin (Alva Film, Zvicër) dhe Amaury Ovise (Kazak Productions, Francë).
“DUA” është një dramë “coming of age”, e vendosur në Kosovën e viteve 1990, e frymëzuar nga përvojat personale të regjisores. Rrëfimi ndjek jetën e një adoleshenteje introverte që kërkon identitetin e saj brenda sfidave politike dhe shoqërore të kohës.
Në rolet kryesore do të shfaqen Pinea Sylejmani, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Sylejmani, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.
Ky projekt pritet të sjellë një tjetër rrëfim të ndjeshëm dhe të thellë nga Basholli, duke vendosur edhe njëherë kinemën kosovare në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.