FFK nis për herë të parë kursin për Licencën UEFA – B për trajnerët e portierëve

Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur për herë të parë kursin për trajnerët e portierëve me Licencën UEFA GK – B, që do të zgjasë deri në prill të vitit 2026. Në fazën e parë të ligjëratave, 16 kandidatëve iu ligjëruan instruktorët e UEFA-s, Frank Thieltges nga Gjermania dhe Tomislav Butina nga Kroacia.
Kursi përfshin ligjërata teorike, punë praktike, monitorime në klube dhe përfundon me provime certifikuese. Thieltges e vlerësoi këtë hap si të rëndësishëm për futbollin kosovar, duke theksuar integrimin më të madh të trajnerëve të portierëve në stërvitjet e ekipeve. Ndërkohë, Butina u shpreh i impresionuar nga niveli i kandidatëve kosovarë dhe progresi i tyre i shpejtë.
Pjesëmarrësit, mes tyre Valmir Bytyqi dhe Diellza Musa, shprehën entuziazëm për përvojën dhe njohuritë e reja të fituara nga ky program. Sipas FFK-së, ky kurs shënon një hap të madh drejt ngritjes së standardeve dhe profesionalizmit në futbollin kosovar.