Festivali Mbarëkombëtar i Këngës Folklorike për herë të parë në Gjilan

Për herë të parë, Gjilani shndërrohet në epiqendrën e këngës tradicionale shqiptare, duke mirëpritur një festival tërësisht të ri në fizionomi, por thellësisht të rrënjosur në traditë: Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës Folklorike – FEST FOLK 2025.
Ky edicion i parë shënon një moment historik për qytetin, pasi bashkon në një skenë të vetme solistë nga të gjitha trojet shqiptare, të shoqëruar nga orkestrina folklorike autentike e Gjilanit, një identitet muzikor që i jep festivalit karakter të veçantë.
IDEJA, FILLIMI DHE VIZIONI
Nisma lindi në kuadër të OJQ-së “Qendra Kulturore Cello Duo”, një qendër që kohëve të fundit është bërë zë i rëndësishëm i kulturës në Anamoravë.
Drejtoresha Arzie Jusufi, e njohur për energjinë dhe dashurinë e saj për artin, ishte nxitja e parë e projektit.
Në këtë udhëtim ajo u bashkua me partnerin e saj profesional, Fazli Berishën, ideatorin kryesor që krijoi konceptin dhe strukturën e festivalit – një ide e cila synon të rikthejë vëmendjen te kënga e pastër folklorike, pa ndërhyrje, pa stilizime të panevojshme, ashtu siç është kënduar ndër breza.
Drejtimin artistik e mori instrumentisti i njohur Afrim Leka, i cili siguroi që standardi muzikor të ishte në nivelin më të lartë dhe që tingulli i orkestrës gjilanase të kthehej në motorin kryesor të mbrëmjes.
PSE FEST FOLK?
Përtej aspektit festiv, qëllimi i këtij organizimi është i qartë dhe i domosdoshëm:
- Të ruajë këngën folklorike shqiptare në format e saj tradicionale.
- T’i japë publikut një përvojë autentike, larg komercializimit që shpesh e zbehin muzikën e trashëgimisë.
- Të vendosë Gjilanin në hartën kulturore mbarëkombëtare, me një aktivitet vjetor që pritet të kthehet në traditë.
- Të krijojë një skenë të përbashkët për artistët shqiptarë, duke i bashkuar në një ngjarje ku vlerësohet rrënja dhe origjina.
Me FEST FOLK 2025, Gjilani jo vetëm që organizon një festival, por ndërton një traditë të re kulturore, një takim të përvitshëm me historinë muzikore të shqiptarëve, të sjellë me profesionalizëm, pasion dhe identitet të pastër artistik.
Fest Folk do të mbahet më 12 dhjetor prej orës 18:00 në Teatrin e Qytetit – Gjilan.
