Festivali i 64-të i Këngës nis sonte, Arilena Ara dhe Salsano Rrapi prezantojnë magjinë e muzikës

Sot hapet sipari i Festivalit të 64-të të Këngës në RTSH, ngjarja më e rëndësishme e muzikës së lehtë shqiptare, që këtë vit vjen me moton “Neo Albania Future”, një vizion modern dhe orientim drejt së ardhmes së muzikës shqiptare. Festivali do të zhvillohet nga 17 deri më 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, duke premtuar emocione, surpriza dhe performanca të paharrueshme gjatë katër netëve.
Në natën e parë do të ngjiten në skenë 14 artistë, të cilët do të prezantojnë këngët e tyre të shoqëruara me performanca skenike të kuruara në detaje. Prezantues të spektaklit do të jenë këngëtarja Arilena Ara dhe aktori i humorit Salsano Rrapi, që do të udhëheqin katër netë muzikore ku garojnë gjithsej 28 këngëtarë. Organizatorët kanë paralajmëruar edhe të ftuar specialë, emrat e të cilëve mbeten surprizë deri në nisjen e çdo nate.
Ky edicion sjell rikthime të veçanta, përfshirë Shkodra Elektronike, performancën ekstravagante të Bleona Qeretit në 30-vjetorin e këngës së saj të parë “Lërmëni” dhe pjesëmarrjen e tenor Ramë Lahaj. Drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, ka konfirmuar gjithashtu që këngëtari estonez Tommy Cash, pjesëmarrës i Eurovizionit 2025, do të performojë në natën finale.
Gjatë dy netëve të para do të prezantohen këngët për publikun dhe jurinë, nata e tretë do të jetë një udhëtim nostalgjik në historinë e festivalit, ndërsa nata finale do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026. Festivali do të transmetohet ekskluzivisht në RTSH, duke bashkuar familjet shqiptare përpara ekranit “aty ku muzika bashkon brezat”.