Fatlum Agushi nga Zhegra diplomon në Akademinë Ushtarake Gjermane – krenari e re për FSK-në dhe Kosovën

Në Berlin, larg Kosovës por me zemrën të ngulitur në të, katër kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës mbyllën një kapitull që do të mbetet i shkruar gjatë në historinë e tyre personale dhe në rrugëtimin e FSK-së. Mes tyre, edhe Fatlum Agushi nga Zhegra e Gjilanit – një emër i thjeshtë për shumëkënd, por një histori përkushtimi dhe amaneti për ata që e njohin. “Uniforma që mbaj nuk është vetëm shtof, është gjak, djersë dhe sakrifica e brezave”, shkroi ai në ditën e diplomimit, duke përmbledhur tri vite sfidash, disipline dhe betimesh të heshtura.

Ceremonia u mbajt në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin, aty ku flamuri i Kosovës dhe ai i Gjermanisë qëndruan krah për krah, si dëshmi e partneritetit që ka ndërtuar një kapitull të ri të profesionalizmit në FSK. Nëntogerët e sapo diplomuar – Shumëzim Karaqica, Arton Xhemajli, Xheladin Kurtaj dhe Fatlum Agushi – u vlerësuan për suksesin e tyre të lartë në drejtimet Logjistikë, Furnizim, Xhenio Luftarake dhe IT ushtarake. Në një sallë plot emocion e krenari, folën përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe atyre të Bundesëehr-it gjerman, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi të vazhdueshëm.
Në fjalët e tyre, zyrtarët e të dy shteteve nënvizuan një të vërtetë tashmë të dukshme: investimi në këta të rinj nuk është vetëm akademik, por strategjik. Ata janë gjenerata që do të bartë mbi supe përgjegjësinë për një forcë moderne, të aftë dhe të denjë për t’i shërbyer vendit. “Sot, oficerët tanë të sapo emëruar bashkohen me trupën e FSK-së – të përgatitur dhe me integritet”, u tha në ceremoni.

E për Fatlumin, ky moment nuk ishte thjesht një diplomim. Ishte betimi publik se do t’i mbetet borxhli Kosovës deri në frymën e fundit. “Diplomimi im nuk është shpërblim personal, është fillimi i një përgjegjësie të përjetshme”, shkroi ai. Në të njëjtën frymë, edhe dita e Berlinit shënoi diçka më të madhe – forcimin e një rruge që FSK po e ngjit me hapa të sigurt, duke u mbështetur nga partnerë të fuqishëm dhe nga djem e vajza që dinë ta çmojnë uniformën.