Dy mërgimtarë shqiptarë nisin rrugëtimin 1900 km me biçikleta nga Zvicra në Kosovë

Dy mërgimtarë shqiptarë, Qëndrim Osmanaj dhe Lul Malsori, janë nisur në një udhëtim të jashtëzakonshëm me biçikleta, duke përshkuar plot 1900 kilometra nga Lozana e Zvicrës deri në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Osmanaj, 27 vjeç, ka si destinacion qytetin e Istogut, ndërsa Malsori, 55 vjeç, do të ndalet në Gjakovë, përkatësisht në Krusha e Madhe.

“Nuk e di për sa kohë mund të arrijmë, por e di që kemi një pasion të madh për ta bërë këtë. Dëshira për t’u kthyer në vendlindje është e madhe dhe nuk ndjejmë lodhje, pavarësisht kilometrave”, tha Osmanaj.
Ai tregoi se ideja për këtë sfidë kishte lindur pesë muaj më parë:
“E kemi biseduar para 5 muajsh, dhe tash erdhi koha. Duke parë edhe kushtet atmosferike, vendosëm të nisim udhëtimin. Rrugës nuk i dihet, por do të bëjmë maksimumin që të arrijmë sa më shpejt.”
Me pasionin për sportin dhe mallin për vendlindjen, dy mërgimtarët po dëshmojnë se dashuria për Kosovën mund të përshkohet edhe mbi dy rrota, përmes një udhëtimi të gjatë, të sfidueshëm dhe plot emocione.