“Dimri i shekullit”? Meteorologët zviceranë shuajnë panikun: sezoni pritet i butë

“Dimri i shekullit”? Meteorologët zviceranë shuajnë panikun: sezoni pritet i butë

Në Zvicër është përhapur frika për një “dimër të shekullit”, por meteorologët vendorë i kanë hedhur poshtë këto thashetheme. MeteoSwiss thotë se, pavarësisht një fenomeni të rrallë mbi Polin e Veriut, dimri 2024–2025 pritet të jetë më i butë se zakonisht. Bëhet fjalë për një ngrohje të papritur stratosferike, një proces që ndodh shumë rrallë – vetëm tre herë në 70 vitet e fundit.

Ky ndryshim i fortë në lartësi të mëdha mund të dobësojë vorbullën polare, e cila normalisht mban ajrin e ftohtë të bllokuar mbi Arktik. Kur kjo vorbull çrregullohet, mund të ndodhin shpërthime të ajrit të ftohtë. Por MeteoSwiss sqaron se këto efekte shpesh prekin më shumë Amerikën e Veriut sesa Evropën.

Ekspertët theksojnë se ende nuk dihet nëse ndryshimet në stratosferë do të arrijnë të ndikojnë troposferën – shtresën ku krijohet moti ynë i përditshëm. Dhe edhe nëse ndodh, vorbulla polare mund të rikthehet shpejt në formë, duke e zbehur efektin.

Për momentin, parashikimet sezonalë mbeten të pandryshuar: gjasat për një dimër të ftohtë në Zvicër janë të ulëta. Dhjetori mund të sjellë pak devijime, por janari dhe shkurti pritet të jenë më të ngrohtë se mesatarja. Megjithatë, meteorologët kujtojnë se parashikimet afatgjata mbeten të pasigurta – klima nuk i nënshtrohet rregullave të thjeshta.