Dhuna Digjitale ndaj Grave dhe Vajzave: Në Qendër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit”

Dhuna Digjitale ndaj Grave dhe Vajzave: Në Qendër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit”

Komente denigruese, mesazhe të padëshiruara, shantazhe dhe kërcënime, këto nuk ndodhin vetëm në botën fizike, por edhe online, në një mjedis virtual që shpesh e perceptojmë si të padëmshëm.

Megjithatë, realiteti është krejt tjetër: dhuna digjitale është reale, lë pasoja emocionale, psikologjike dhe sociale, dhe prek më së shumti gratë dhe vajzat, si globalisht, ashtu edhe në Kosovë.

Shpërndarja pa leje e materialeve personale, ngacmimet dhe kërcënimet në internet janë forma të dhunës me bazë gjinore që shkojnë përtej ekranit.

Ato ndikojnë në mirëqenien, reputacionin dhe sigurinë e grave dhe vajzave, duke kufizuar pjesëmarrjen e tyre të lirë në hapësirën digjitale.

Prandaj, është përgjegjësi e secilit prej nesh ta njohë këtë fenomen dhe ta adresojë me seriozitet.

Mosreagimi e ushqen problemin, ndërsa ndërgjegjësimi dhe raportimi janë hapa thelbësorë për të mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e të gjithëve.

Këtë vit, fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” rikthen vëmendjen te dhuna digjitale, një formë e dhunës që po rritet me ritëm të shpejtë.

Fushata synon të forcojë mbrojtjen e grave, të nxisë sigurinë në internet dhe të promovojë një hapësirë virtuale ku gratë mund të shprehen lirisht, pa frikë nga kërcënimi apo abuzimi.

Në Kosovë, fushata zhvillohet nga Ministria e Drejtësisë, UN Women, OSBE dhe organizata të tjera partnere që i bashkohen nismës globale kundër dhunës me bazë gjinore.

Edhe Geg FM Radio i bashkohet këtë vit kampanjës, me mbështetjen e Zyrës Rajonale të OSBE-së në Gjilan, për të ngritur zërin kundër dhunës digjitale dhe për të kontribuar në krijimin e një ambienti më të sigurtë për gratë dhe vajzat.

Më poshtë mund të dëgjoni audio-kampanjën e Geg FM Radio, që fton të gjithë të bashkohen në ’16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’, duke bërë thirrje për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave në hapësirën virtuale.

Fushata na kujton se dhuna, qoftë fizike apo digjitale, nuk ka vend në asnjë shoqëri.

Ndryshimi fillon nga ne.