“Derbi Drita – Gjilani (1945–2025)”, një histori rivaliteti e kthyer në libër – promovim solemn në Gjilan

“Derbi Drita – Gjilani (1945–2025)”, një histori rivaliteti e kthyer në libër – promovim solemn në Gjilan

Nën tingujt e këngës “Rrjedhë në këngë e ligjërime”, të interpretuar me ndjenjë nga Elona Sadiku, u hap ceremonia e promovimit të librit “Derbi Drita – Gjilani (1945–2025)” të autorit Enver Sadiku. Një mbrëmje që bashkoi kulturën dhe sportin, duke e kthyer rivalitetin më të madh futbollistik të qytetit në një vepër të dokumentuar me përkushtim e profesionalizëm.

Në emër të Komunës së Gjilanit, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, e cilësoi librin si një kontribut të çmuar për historinë sportive të qytetit. Nga Federata e Futbollit e Kosovës, anëtari i Komitetit Ekzekutiv Armand Misini theksoi rëndësinë e botimeve të tilla për ruajtjen e trashëgimisë sportive. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësuesit e dy klubeve rivale – nga SC Gjilani foli Drilon Sylejmani, ndërsa nga KF Drita drejtori sportiv Valon Zymberi.

Nga aspekti shkencor, dr. Fitim Rifati, redaktor i veprës, e vlerësoi librin si një arritje me dimension të lartë historik e profesional, që ndërlidh të kaluarën sportive me të tashmen dhe perspektivën e futbollit në Kosovë. Ndërsa recensenti Fehmi Sylejmani theksoi se autori, si ish-lojtar, shikues dhe gazetar, i ka trajtuar derbit me objektivitet dhe kujdes të veçantë.

Në përmbyllje, autori Enver Sadiku falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe të pranishmit për mbështetjen dhe interesimin e madh. Promovimi u moderua nga prof. Tahir Arifi, duke i dhënë aktivitetit një rrjedhë të natyrshme dhe dinjitoze – ashtu siç i ka hije një historie 80-vjeçare rivaliteti që ka shënuar breza të tërë tifozësh në Gjilan.