Cilat janë vendet më inteligjente në botë sipas Indeksit të Inteligjencës 2025?

Një raport i ri i publikuar nga Trading Platforms, duke u bazuar në të dhënat e OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), ka renditur vendet me popullsitë më inteligjente në botë. Studimi përdor një kombinim treguesish, duke përfshirë performancën në shkencë, matematikë dhe lexim (sipas testimeve PISA 2022), numrin e botimeve shkencore për milion banorë, si dhe koeficientin mesatar të inteligjencës (IQ). Ky kombinim ofron një panoramë të plotë të nivelit njohës global.
Në krye të listës për këtë vit qëndrojnë vendet aziatike: Tajvani me një IQ mesatare prej 107.10 dhe Hong Kongu me 107.06. Pas tyre renditen Koreja e Jugut, Japonia, Singapori dhe Mongolia, duke konfirmuar dominimin e rajonit aziatik në fushën e arsimit dhe inovacionit shkencor.
Në Evropë, lider është Spanja, me një IQ mesatare prej 102.3, e ndjekur nga Franca (101.4), Gjermania (100.9) dhe Italia (100.8). Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 104-t, me një rezultat rreth 82 pikë, shumë poshtë mesatares evropiane, çka tregon nevojën për përmirësime të konsiderueshme në arsim dhe prodhim shkencor.
Analiza e Trading Platforms mat Indeksin e Inteligjencës së Kombeve përmes tre faktorëve kryesorë:
- IQ mesatare e popullsisë
- Rezultatet në testimet PISA 2022
- Numri i botimeve shkencore për milion banorë
Sipas analistit Martin Tunchev, “Një IQ mesatare e lartë zakonisht çon në performancë më të mirë arsimore, e cila rrit prodhimin shkencor dhe inovacionin. Shtetet aziatike si Singapori, Tajvani, Japonia dhe Koreja e Jugut janë shembuj të këtij cikli të virtytshëm, ndërsa vendet si Estonia, Finlanda dhe Zvicra tregojnë se investimi i qëndrueshëm në arsim përkthehet në rritje të kapaciteteve njohëse të popullsisë.”
Top 10 vendet më të zgjuara në botë sipas Indeksit të Inteligjencës 2025:
- Tajvani – 107.10
- Hong Kong – 107.06
- Koreja e Jugut – 106.43
- Japonia – 106.40
- Singapori – 105.14
- Mongolia – 102.86
- Australia – 102.57
- Spanja – 102.30
- Zelanda e Re – 102.08
- Sllovenia – 101.96
Në anën tjetër, Estonia mbetet kampione evropiane për performancën e nxënësve 15-vjeçarë, me 516 pikë në testet PISA 2022, një nivel që e vendos ndër më të mirët edhe në shkallë botërore.