Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Artit në Venedik me veprën 17 metra

Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Artit në Venedik me veprën 17 metra

Kosova do të ketë një prezencë të spikatur në Bienalen e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Venedik, falë krijuesit të talentuar Brilant Milazimit. Ai do të prezantojë veprën e tij “Hard Teeth” (Dhëmbë të Fortë), një instalacion pikturor i madh, që do të hapë horizonte të reja për vizitorët e festivalit më të njohur të artit bashkëkohor në botë.

Vepra, e kuruar nga Jose Esparza Chong Cuy, është një pikturë e gjatë 17 metra, që shpalos një rend figurash të ngjeshura, si vargmale që përkujtojnë peizazhet rurale të Kosovës. Figurativisht, Milazimi krijon procesione njerëzish brenda peizazhit, duke sjellë një kombinim të fuqishëm midis trupit të brishtë njerëzor dhe natyrës që e rrethon.

Instalimi do të vendoset në kishën Santa Maria del Pianto, një hapësirë tetëkëndore përballë lagunës venedikase, e ndërtuar në vitin 1658 nga arkitekti Francesco Contino, duke i dhënë veprës një dimension historik dhe monumental.

Pavijoni i Kosovës komisionohet nga kuratorja Hana Halilaj nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Kosova ka qenë prezente për herë të parë në Bienale në vitin 2013 me Petrit Halilaj, ndërsa më pas me Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019), Jakup Ferri (2022) dhe Doruntina Kastrati (2024).

Ky edicion i Bienales do të zhvillohet nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, duke bërë që vizitorët nga e gjithë bota të përjetojnë artin bashkëkohor të Kosovës në një nga qytetet më magjike të Italisë.