Besnikëria që ndryshoi ligjin: Qeni nga Brazili frymëzon vendim historik

Besnikëria që ndryshoi ligjin: Qeni nga Brazili frymëzon vendim historik

Një qen i vogël, me zemër të madhe, ka ndryshuar ligjin në Brazil. Në São Paulo, “Bob Coveiro” – që në portugalisht do të thotë “varrmihës” – kaloi plot 10 vjet duke jetuar në varrezat ku ishte varrosur pronari i tij. Ai mori pjesë në funeral dhe më pas refuzoi të largohej, duke u kthyer gjithmonë aty, edhe kur familjarët përpiqeshin ta mbanin në shtëpi.

Bob u bë figurë e dashur për komunitetin në varrezat e Taboão da Serra. Ai shoqëronte procesionet mortore, u jepte ngushëllim njerëzve në zi dhe madje kishte një shtëpizë të gjelbër ku jetonte pranë varrit të pronarit. Pas vdekjes së tij në vitin 2021, ai u varros pranë kujdestarit të vet.

Historia e tij frymëzoi një ligj të ri, që mban emrin e Bobit dhe hyri në fuqi këtë javë. Sipas qeverisë së shtetit, ligji njeh “lidhjen emocionale” mes kafshëve shtëpiake dhe familjeve të tyre, duke lejuar varrosjen e tyre së bashku.

Deputeti Eduardo Nóbrega, një nga autorët e ligjit, tha se “ajo që filloi si një histori dashurie dhe besnikërie është kthyer në politikë publike”. Ndërsa organizata lokale Patre, që ngriti fonde për një statujë në kujtim të tij, theksoi se Bob fitoi zemrat e të gjithëve – duke sjellë buzëqeshje edhe në ditët më të trishta.