Arbër Ismajli: “Bizneset janë zemra e zhvillimit ekonomik të Gjilanit”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, po vazhdon viztitat tek bizneset lokale të qytetit, ku po prezanton edhe programin e LDK-së për mbështetjen e ekonomisë vendore.
Gjatë vizitës në kompaninë “Flexograf”, së bashku me kandidatin për Kuvendin Komunal, Fatos Ramadani, ai u prit nga drejtuesit e kompanisë, Bujar dhe Samet Mustafa, të cilët po e bëjnë emrin e Gjilanit të njihet në rajon e Evropë me punën e tyre të përkushtuar.
“Ky është shembulli i gjallë se si djemtë e Gjilanit me mund e djersë po i rrisin kapacitetet prodhuese dhe po e vendosin qytetin tonë në hartën e prodhimit cilësor,” tha Ismajli.
Ai vlerësoi “Flexograf”-in si një nga punëdhënësit më kontribuues të Gjilanit, duke theksuar se bizneset vendore janë zemra e zhvillimit ekonomik. “Ato do ta kenë gjithmonë përkrahjen tonë të plotë, sepse aty ku fuqizohet biznesi vendor, fuqizohet edhe komuna jonë,” u shpreh kandidati i LDK-së.
Ismajli premtoi se qeverisja e ardhshme komunale do të krijojë politika të qëndrueshme për rritjen dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, duke i quajtur bizneset lokale partnerë kyç në projektin e tij për “Gjilanin e ri”.