Albin Kurti emocionohet nga filmi “Era” i Parta Kelmendit: “Ngjan më i vërtetë se një dokumentar”

Në mbrëmjen e premierës së filmit “Era”, në sallën e mbushur të Cineplexx Albi Mall, një publik i përzier mes artdashësve dhe profesionistëve të filmit përjetoi një udhëtim emocional drejt viteve të ’90-ta. Mes tyre ishte edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili pas shfaqjes ndau fjalë të ngrohta për krijimin e regjisores dhe skenaristes Parta Kelmendi.
“‘Era’ është film që ngjan më i vërtetë se një dokumentar,” – shkroi Kurti, duke vlerësuar mënyrën se si historia e personazhit të Era Gashit, të luajtur mjeshtërisht nga Zana Berisha, pasqyron diskriminimin dhe ankthin e asaj kohe. Ai kujtoi vitet pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, periudhë e mbushur me padrejtësi, humbje dhe vendime të vështira për mbijetesë.
Sipas Kurtit, filmi nuk flet vetëm për të kaluarën, por për kujtesën kolektive që ende formëson shoqërinë tonë. “Edhe para luftës nuk kishim paqe,” – shkroi ai, duke e quajtur “Era-n” një kujtesë të gjallë të guximit, dhimbjes dhe shpresës që ka ndërtuar identitetin tonë.