Alban Hyseni viziton kompaninë “Konsoni”, vlerëson rolin e grave në zhvillimin ekonomik lokal

Alban Hyseni viziton kompaninë “Konsoni”, vlerëson rolin e grave në zhvillimin ekonomik lokal

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe njëherësh kandidat për mandatin e dytë, Alban Hyseni, ka vizituar sot kompaninë “Konsoni”, e cila njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj në tregun vendor për vezë dhe mish pule.

Gjatë vizitës, Hyseni ishte i shoqëruar nga kandidatët për Asamblenë Komunale Albulena Hajdari dhe Krenare Latifi-Kqiku. Ata u njoftuan nga afër me kapacitetet aktuale të kompanisë si dhe me planet për zhvillim të mëtejshëm.

Hyseni theksoi rëndësinë e fuqizimit të bizneseve vendore, duke e vlerësuar veçanërisht faktin se rreth 80% e të punësuarve në “Konsoni” janë gra. “Ky është një tregues i qartë se si bizneset tona po kontribuojnë në fuqizimin e grave dhe në krijimin e vendeve të reja të punës,” tha ai.

Ai gjithashtu u zotua se mbështetja për bizneset lokale do të vazhdojë të jetë prioritet. “Vetëm përmes përkrahjes së tyre mund të sigurojmë rritje të qëndrueshme ekonomike dhe zhvillim për Gjilanin tonë,” u shpreh Hyseni.