Alban Hyseni: Kemi shlyer 17 milionë euro borxhe të trashëguara, Gjilani në binarë të shëndoshë financiarë

Alban Hyseni: Kemi shlyer 17 milionë euro borxhe të trashëguara, Gjilani në binarë të shëndoshë financiarë

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të dytë, Alban Hyseni, ka theksuar se katër vitet e qeverisjes së tij kanë dëshmuar menaxhim të përgjegjshëm dhe transparent financiar.

Sipas tij, komuna ka arritur të shlyejë mbi 17 milionë euro borxhe të trashëguara, duke e rikthyer buxhetin komunal në stabilitet dhe duke e bërë të gatshme për projekte të reja. Megjithatë, Hyseni ka nënvizuar se ende kanë mbetur edhe 11 milionë euro obligime financiare që do të vazhdojnë të shlyhen në periudhën e ardhshme.

“Komunën e kemi rikthyer në binarë të shëndoshë financiarë, duke e bërë të aftë për projekte të reja zhvillimore. Pas 12 tetorit, do të vazhdojmë me disiplinë financiare dhe me realizimin e projekteve të mëdha për qytetin tonë”, ka deklaruar Hyseni.

Ai ka shtuar se prioritet i mandatit të dytë do të jetë zhvillimi i infrastrukturës, përmirësimi i shërbimeve për qytetarët dhe nxitja e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në Gjilan.