Alban Hyseni: Dheu i Bardhë vulos fitoren e 12 tetorit

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Gjilanit, njëherësh kryetari aktual, Alban Hyseni, po vazhdon ditët e fundit të fushatës zgjedhore me një ritëm të dendur takimesh në çdo lagje, fshat e biznes të qytetit.
Në kuadër të këtyre takimeve, Hyseni dhe ekipi i tij kanë zhvilluar një takim të madh me banorët e lagjes Dheu i Bardhë, ku u prezantua programi qeverisës i Vetëvendosjes për katër vitet e ardhshme.
Atmosfera në këtë takim u karakterizua me entuziazëm dhe përkrahje të fuqishme për kandidatin e Vetëvendosjes, i cili, siç tha vetë Hyseni, “Dheu i Bardhë e vulosi fitoren me t’parën!”.
“Asnjëherë nuk mbahet në mend një entuziazëm kaq i jashtëzakonshëm i lagjes Dheu i Bardhë në Gjilan, ku me bindje e besim të plotë, e përçuan mesazhin e fitores së madhe të 12 tetorit. Ky takim, si secili tjetër, nuk është spektakël artificial me banorë të lagjeve të tjera, por janë qytetarë vendas e gjilanas, që me dashuri dhe entuziasëm po i mbushin rrugët e lagjet me frymën e qeverisjes së mirë,” – ka deklaruar Hyseni pas takimit.
Ai shtoi se mbështetja e banorëve të kësaj lagjeje është dëshmi e punës konkrete të qeverisjes lokale në këto katër vite dhe e besimit që qytetarët kanë për një mandat të ri.
“Faleminderit Dheu i Bardhë për përkrahjen e sinqertë. Fitorja është e jona dhe pa balotazh!”, theksoi Hyseni, duke falënderuar banorët për mbështetjen masive.
Fushata e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan po shënon ditët e saj përmbyllëse me takime të shumta në terren, ndërsa mesazhi kryesor i kandidatëve mbetet vazhdimësia e projekteve zhvillimore, transparenca dhe qeverisja me qytetarin në qendër.