Ajla dhe Troi kryesojnë listën e emrave më të shpeshtë të foshnjave në Kosovë për vitin 2025

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar të dhënat zyrtare mbi emrat më të përzgjedhur të foshnjave të lindura në Kosovë gjatë vitit 2025, duke ofruar një pasqyrë interesante të trendeve që kanë dominuar në regjistrimin civil të lindjeve.
Sipas kësaj liste, prindërit kanë shfaqur një prirje të qartë drejt emrave të shkurtër dhe modernë. Tek vajzat, emri Ajla ka kryesuar renditjen, me gjithsej 346 regjistrime, duke u bërë emri më i shpeshtë i vitit 2025. Menjëherë pas tij vjen emri Dua me 342 regjistrime, ndërsa Hana zë vendin e tretë me 254 raste. Vlen të theksohet se gjatë vitit 2024, emri Dua kishte mbajtur pozitën e parë për vajzat.
Edhe tek djemtë, statistikat tregojnë një vazhdimësi të trendeve nga viti paraprak. Emri Troi ka qenë zgjedhja më e shpeshtë për prindërit, me 296 regjistrime, duke ruajtur kryesimin edhe për vitin 2025. Pas tij renditen emrat Mal dhe Malik, të cilët ndajnë të njëjtin numër regjistrimesh, nga 244 secili.
Këto të dhëna zyrtare reflektojnë jo vetëm shijet aktuale të prindërve, por edhe ndikimet kulturore dhe emërtimet moderne që po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet në shoqërinë kosovare.