Superkompjuteri i Opta-s zbulon favoritët e Ligës së Evropës 2025/26 – surpriza të mëdha në listë

Superkompjuteri i Opta-s zbulon favoritët e Ligës së Evropës 2025/26 – surpriza të mëdha në listë

Liga e Evropës po troket, dhe bashkë me të kanë nisur edhe parashikimet për një sezon që pritet të jetë i zjarrtë dhe plot befasi.

Edicioni 2025/26 starton më 24 shtator me nëntë duelet e para të javës hapëse, ndërsa një ditë më vonë do të zhvillohen edhe nëntë ndeshje të tjera, duke ndezur kështu një garë që duket më e paparashikueshme se kurrë.

Në prag të këtij fillimi, superkompjuteri i njohur i kompanisë Opta ka hedhur dritë mbi skuadrat që shihen si favoritë për të ngritur trofeun. Dhe rezultatet kanë sjellë më shumë se një surprizë.

Sipas algoritmeve të Opta-s, Aston Villa kryeson listën me 21.6 për qind shanse për të fituar turneun, duke u vendosur përpara një gjiganti të futbollit evropian si Roma, e cila llogaritet me 12.8 për qind gjasa. Pas tyre, befasia e madhe është Nottingham Forest, që renditet i treti me 11.3 për qind.

Top pesëshen e kompletojnë dy klube franceze: Lille me 10.1 për qind dhe Lyon me 8.3 për qind, duke dëshmuar forcën dhe traditën që Ligue 1 ka rikthyer në garat evropiane.

Në pozitat e mëtejshme gjenden emra të mëdhenj të futbollit kontinental: Feyenoordi (5.2%), Bologna (5.1%), Porto (4.3%), Stuttgarti (2.8%) dhe Real Betisi (2.6%).

Me këto parashikime, edicioni i ri i Ligës së Evropës premton jo vetëm garë të fortë, por edhe histori të reja për t’u shkruar. Dhe nëse superkompjuteri i Opta-s ka të drejtë apo jo, mbetet për t’u parë në fushë, aty ku gjithmonë vendos topi.