Oda Amerikane dhe Ministria e Mbrojtjes organizojnë ngjarjen e parë për dronë në Kosovë

Oda Amerikane dhe Ministria e Mbrojtjes organizojnë ngjarjen e parë për dronë në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ka njoftuar lansimin e edicionit të parë të SharkAthon – Ditës së Inovacionit dhe Investimeve në Dronë, që do të mbahet më 8 tetor 2025.

Ngjarja ka për qëllim krijimin e një platforme ku inovatorët e dronëve mund të prezantojnë prototipet e tyre funksionale, të demonstrojnë aftësitë teknike dhe të shpalosin vizionin e tyre para një audience të përbërë nga investitorë, përfaqësues të institucioneve dhe partnerë të mundshëm të biznesit.

SharkAthon kombinon elemente të një “hackathon” me prezantime sipas modelit të “Shark Tank”, duke mundësuar që projektet më premtuese të gjejnë mbështetje për të kaluar nga faza e prototipit në atë të prodhimit.

Në ngjarje mund të marrin pjesë startup-et, inovatorët individualë, studentët dhe laboratorët që kanë zhvilluar prototipe funksionale të dronëve, si dhe ekipet që mund të ofrojnë demonstrime të sigurta dhe prezantime të qarta për aplikime praktike.

Procesi i aplikimit bëhet përmes një formulari elektronik të publikuar nga organizatorët, me afatin e fundit më 28 shtator 2025. Pas përfundimit të fazës së aplikimit, një ekip i përbashkët ushtarako-civil do të vlerësojë projektet, dhe vetëm kandidatët që plotësojnë kriteret teknike do të ftohen për pjesëmarrje.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të prezantojnë punën e tyre para partnerëve qeveritarë dhe privatë, të sigurojnë mbështetje financiare, projekte pilot dhe mentorim, si dhe të konkurrojnë për çmime dhe mirënjohje.

Për më shumë informata, të interesuarit mund të kontaktojnë Odën Amerikane në Kosovë në adresën sharkathon@amchamksv.org.