Sunny Hill 2026: Tri net, datat e konfirmuara dhe skena gati për spektakël

Sunny Hill 2026: Tri net, datat e konfirmuara dhe skena gati për spektakël

Prishtina tash e disa vjet e nis verën me një festival të veçantë. Dhe tani është zyrtare: Sunny Hill Festival 2026 do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht, duke rikthyer në kryeqytet energjinë e festivalit më të madh muzikor në Kosovë dhe një nga më të mëdhenjtë në rajon.

I themeluar nga superylli botëror Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, Sunny Hill nisi si një ëndërr për ta vendosur Kosovën në hartën globale të muzikës – dhe sot është një realitet i fuqishëm kulturor dhe ekonomik.

Që nga edicioni i parë në vitin 2018, festivali ka sjellë në Prishtinë emra të mëdhenj si Miley Cyrus, Calvin Harris, Martin Garrix, Shawn Mendes, Bebe Rexha, Fatboy Slim, Peggy Gou dhe shumë artistë të tjerë që kanë ndezur skenën para dhjetëra mijëra fansave.

Por Sunny Hill është më shumë se një lineup i fuqishëm. Është një ngjarje që bashkon njerëz nga e gjithë bota, që mbush hotelet, gjallëron bizneset lokale dhe e kthen Prishtinën në një qytet që jeton 24 orë me ritmin e muzikës. Çdo edicion ka dëshmuar se festivali nuk është vetëm spektakël – është platformë promovimi për Kosovën, për artistët vendorë dhe për potencialin kulturor të vendit.

Edicioni i vitit 2026 pritet të sjellë sërish një kombinim të artistëve ndërkombëtarë, produksionit madhështor dhe atmosferës unike verore që tashmë është bërë identitet i festivalit.

Tri net, një skenë gjigante, mijëra drita dhe një publik që këndon në unison – kjo është ndjesia që Sunny Hill e ka kthyer në traditë.