17 Shkurti përmes zërave dhe imazheve në Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Kosovës po e shndërron përvjetorin e 18-të të Pavarësisë në një hapësirë kujtese dhe reflektimi, duke sjellë një rrëfim ndryshe për 17 Shkurtin 2008, përmes zërave dhe pamjeve që shënuan lindjen e shtetit të Kosovës.
Më 16 shkurt, duke filluar nga ora 18:00, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë ceremoninë festive “Zëra dhe Imazhe: Dita e Pavarësisë përmes rrëfimeve dhe fotografive”, një ngjarje që ndërthur dëshmitë qytetare me dokumentimin vizual të një dite historike.
Në fokus të mbrëmjes do të jetë dokumentari “Përjetime të lirisë: Rrëfime qytetare për 17 Shkurtin”, i cili sjell emocione autentike, kujtime personale dhe përjetime të drejtpërdrejta nga momenti kur Kosova shpalli pavarësinë. Paralelisht, do të inaugurohet edhe ekspozita fotografike “Pamje të Pavarësisë: 17 Shkurt 2008”, ku fotografitë arkivore rikthejnë atmosferën e asaj dite vendimtare.
Përmes kësaj ngjarjeje, Biblioteka Kombëtare e Kosovës fton qytetarë, studiues dhe dashamirë të historisë që të bashkohen në një akt kolektiv kujtese, për të kujtuar, reflektuar dhe festuar një nga kapitujt më të rëndësishëm të shtetësisë së Kosovës.
