Veshja tradicionale e Hasit nis rrugëtimin drejt UNESCO-s

Veshja tradicionale e Hasit, një nga më të vjetrat dhe më karakteristikat në trojet shqiptare, është në procesin për t’u regjistruar si pasuri kulturore në UNESCO. Studiuesit dhe mbështetësit e trashëgimisë kulturore nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së origjinalitetit të punimeve dhe mënyrës tradicionale të përdorimit të saj.
Leme Tanaj, 71-vjeçare nga Gorozhupi i Hasit, tregon me nostalgji për punën e madhe që kërkonin veshjet tradicionale. Në ditën e martesës, ajo kishte përgatitur tetë veshje të kompletuara, të gjitha të punuara me dorë, të cilat u shkatërruan gjatë luftës. “I kisha tetë veshje: më të thjeshtat për shtëpi, ato për dasmë dhe për ngjarje të veçanta ishin më të punuara. Veshja e dekës kishte më pak lule dhe ngjyra më të mbyllëta”, rrëfen Tanaj.
Gjenerata e re, përfshirë Rabije Hodaj nga Shoqëria Kulturore “Hasi Jehon”, vazhdon të përdorë veshjen në festivale dhe ngjarje të veçanta. “Përmes veshjes mund të dallosh nëse një grua ishte e ve, pjesëmarrëse në dasmë apo nuse e re. Nuset vishnin fustanella me kanac të kuq, 33 metra të gjatë, ndërsa gratë e mesme përdornin mshellak”, thotë Hodaj për RTK.
Rrugëtimi drejt UNESCO-s shënon një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e kësaj tradite të vyer kulturore, duke garantuar që veshja e Hasit të mbahet gjallë për brezat e ardhshëm.